Drafti i ri për bankat, rregulla për konfliktet me klientët dhe kompanitë e kredive me probleme
Projektligji i ri për bankat parashikon zgjidhjen e ankesave të klientëve brenda 15 ditëve pune dhe kufizime për kompanitë e kredive me probleme.

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri për bankat dhe institucionet financiare jobanka, i cili parashikon rregulla për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me klientët, kufizime për kompanitë që blejnë kreditë me probleme dhe kërkesa më të detajuara për mbikëqyrjen e sektorit financiar.
Projektligji “Për ushtrimin e veprimtarisë të institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre” synon të zëvendësojë ligjin ekzistues për bankat, të miratuar në vitin 2006, si dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Banka e Shqipërisë do të krijojë një njësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me klientët
Një nga ndryshimet kryesore të projektligjit lidhet me trajtimin e konflikteve ndërmjet bankave dhe konsumatorëve. Neni 342 parashikon që Banka e Shqipërisë të krijojë një njësi të posaçme për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, e cila do të shqyrtojë dhe zgjidhë konfliktet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas projektligjit, “Banka e Shqipërisë është autoriteti përgjegjës për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, pas një ankese të paraqitur nga konsumatorët që janë klientë të institucioneve të kreditit”.
Njësia e posaçme do të funksionojë sipas rregullave që do të miratohen nga Banka e Shqipërisë, ndërsa vendimet e saj do të kenë efektet juridike të përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit.
Drafti përcakton gjithashtu procedura për trajtimin e ankesave të klientëve. Bankat do të duhet të japin përgjigje brenda 15 ditëve pune, përveç rasteve kur legjislacioni specifik parashikon ndryshe. Institucionet financiare do të kenë detyrimin të konfirmojnë marrjen e ankesës dhe t'i japin klientit informacion mbi procedurën dhe afatin e shqyrtimit.
Kufizime për interesat dhe penalitetet e kompanive që blejnë kreditë me probleme
Një pjesë tjetër e projektligjit i kushtohet veprimtarisë së institucioneve financiare jobanka, veçanërisht kompanive që blejnë dhe mbledhin kreditë me probleme. Neni 318 përcakton kufizime për interesat, penalitetet, komisionet dhe tarifat që këto subjekte mund t'u kërkojnë debitorëve.
Sipas draftit, kompanitë që blejnë kredi me probleme nuk mund të aplikojnë interesa, penalitete, komisione apo tarifa më të larta se ato të parashikuara në kontratën fillestare të kredisë. Ky kufizim synon të përcaktojë qartë detyrimet financiare që mund të kërkohen nga debitorët pas transferimit të kredisë te një subjekt tjetër.
Projektligji përcakton gjithashtu se subjektet e licencuara për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme nuk mund të japin kredi të reja dhe as të ushtrojnë veprimtari të tjera financiare apo tregtare.
Për institucionet financiare jobanka parashikohen edhe detyrime për transparencën mbi interesat, tarifat, komisionet dhe kushtet kontraktuale, me qëllim që klientët të kenë informacion më të qartë mbi detyrimet e tyre.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave thekson se projektligji synon “moslënien e hapësirave të parregulluara që mund të krijojnë problematika në të ardhmen”.
Kapitali fillestar minimal për bankat përcaktohet në 5 milionë euro
Projektligji parashikon edhe forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, duke vendosur në nivel ligjor kërkesa më të detajuara për kapitalin, administrimin e rreziqeve dhe qeverisjen e institucioneve financiare.
Për bankat përcaktohet një kapital fillestar minimal prej 5 milionë eurosh ose ekuivalenti në lekë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të ketë të drejtën të kërkojë nivele më të larta kapitali, në përputhje me kërkesat mbikëqyrëse.
Ndryshimet synojnë forcimin e kuadrit rregullator për institucionet e kreditit dhe përafrimin e kërkesave të mbikëqyrjes me standardet e Bashkimit Europian.
Pas anëtarësimit në BE, bankat shqiptare mund të ofrojnë shërbime në vendet anëtare
Një tjetër element i projektligjit është përfshirja e mekanizmit të “pasaportës së vetme”, i cili lidhet me integrimin e sektorit bankar shqiptar në tregun financiar të Bashkimit Europian.
Sipas draftit, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky mekanizëm do t'u mundësojë bankave të licencuara në vend të hapin degë ose të ofrojnë drejtpërdrejt shërbime në shtetet e tjera anëtare, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
Në relacionin shoqërues thuhet se projektligji “forcon kompetencat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe integrimin e autoritetit me arkitekturën mbikëqyrëse të Bashkimit Europian”.
Projektligji ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik. Rregullat e reja për trajtimin e ankesave të klientëve, kufizimet për kompanitë që blejnë kreditë me probleme dhe kërkesat për mbikëqyrjen bankare janë ende propozime ligjore dhe nuk përbëjnë detyrime të reja në fuqi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)